BDI dhe LSDM fitues të zgjedhjeve, shqiptarët në Maqedoni sigurojnë numër rekord të deputetëve

LSDM për herë të parë pas vitit 2002 ka arritur të fitojë ndaj VMRO-DPMNE-së me diferencë minimale prej 2 deputetëve, ndërsa në kampin shqiptar ka fituar BDI-ja e Ahmetit me 15 deputetë, 3 më shumë se koalicioni ASH-AA. Befasi e këtyre zgjedhjeve është numri i madh i shqiptarëve që do të jenë pjesë e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, shkruan Gazeta Express.

Dje janë organizuar zgjedhjet parlamentare të dhjetat me rradhë që nga pavarësimi i Maqedonisë së Veriut. Zgjedhjet kanë qenë të pazakanshme shkaku i organizimit të tyre në kohë pandemie dhe respektimit të protokolleve të ndryshme për të mbrojtur votuesit nga virusi korona. Procesi zgjedhor ka kaluar në frymë demokratike, pa u regjistruar ndonjë shkelje serioze nga ana organeve kompetente të mbarëvajtjes së procesit. Vendvotimet janë hapur në ora 07:00 dhe është votuar deri në orën 21:00.

Në këto zgjedhje garuan LSDM dhe koalicioni, VMRO dhe koalicioni, BDI, ASH-AA, PDSH, E Majta dhe Integra. LSDM kishte në koalicion Lëvizjen BESA dhe partitë e etnive të tjera që jetojnë në Maqedoni të Veriut, duke e krijuar kështua një koalicion multietnik, që është i pari i këtij lloji në vend.

VMRO në anën tjetër ka vazhduar fushatën e bazuar në nacionalizëm, duke premtuar anulimin e Marrëveshjes së Prespës, Marrëveshjes me Bullgarinë dhe anulimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ku bën pjesë edhe gjuha shqipe.

BDI edhe pse ka qenë në koalicion me LSDM-në prej vitit 2017, kohëve të fundit këto raporte u ftohën tej mase pas fjalimeve të Zoran Zaevit se do ta dërgonte BDI-në në opozitë dhe do të formonte Qeveri me partitë tjera shqiptare, duke mos llogaritur se cila do të merrte primatin te shqiptarët. Kjo fushatë u ashpërsua edhe ditët e fundit të fushatës kur në tubimet përmbyllëse Zaevi dhe Ahmeti i dërguan mesazhe njëri – tjetrit duke thënë se nuk do koalicionin së bashku.

BDI në këto zgjedhje, për herë të parë, ka garuar me kandidatin për kryministër shqiptar, Naser Ziberin. BDI gjatë kësaj kohe e ka promovuar idenë e kryeministrit shqiptar, madje duke premtuar se do të jetë kushti kryesor për formimin e Qeverisë së ardhshme me partnerin maqedonas.Express

Blloku tjetër shqiptar përsëri nuk arriti të bashkohej për t’i bërë ballë BDI-së së Ahmetit. Koalicion parazgjedhor arritën vetëm Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. Edhe pse pritjet e njerëzve ishin se edhe BESA do të ishte pjesë e këtij koalicioni, një gjë e tillë nuk u arrit.

PDSH ishte e vetme në këto zgjedhje, dhe për herë të parë nuk llogaritej në garë. Partia e Menduh Thaçi pati pësuar rënie të madhe në zgjedhjet e vitit 2016, ku nga 7 mbeti vetëm me 2 deputetë. Sipas rezultateve të publikuar nga KSHZ mbrëmë vonë, koalicioni “Mundemi” që udhëhiqet nga LSDM-ja ka dalur fitues i zgjedhjeve, i pasuar nga VMRO-DPMNE, BDI, ASH-AA, E majta dhe PDSH.

LSDM dhe koalicioni kanë arritur të sigurojnë 46 ulëse në Kuvend, VMRO-ja 44 ulëse, BDI 15 ulëse, ASH-AA 12 ulëse,E majta 2 ulëse, ndërsa PDSH një ulëse. Si asnjëherë më parë, shqiptarët këtë mandat do të kenë minimum 33 ulëse në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Nga certifikimi i rezultateve fillon rrjedhja e afateve kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, me të edhe bisedimet për koalicione. LSDM dhe BDI të vetme mund të krijojnë shumicë solide prej 61 deputetëve për formimin e Qeverisë, por varen kërkesat e BDI-së, nga e cila parti në disa paraqitje kanë vendosur kushtin e tyre për kryeministër shqiptar./GazetaExpress/