Ambasadori gjerman në OKB: Daçiq duhet të flas për krimet serbe në Kosovë

Ambasadori gjerman në OKB Christoph Heusgen shprehu keqardhje që nuk dëgjoi asgjë për krimet e palës serbe kundër shqiptarëve të Kosovës në fjalimin e djeshëm nga ministri i jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.
“Adresimi i ministrit Daçiq ishte një kopje e fjalimeve të tij të mëparshme. Ne kurrë nuk dëgjojmë asgjë për krimet e kryera nga pala serbe në vitet 1998 dhe 1999, e as mbi spastrimin etnik. Me të vërtetë më vjen keq për këtë”,” tha Heusgen, ambasadori i Gjermanisë në Këshillin e Sigurimit të KB.
Ai gjithashtu deklaroi se Daçiq, i cili i referohet Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të KB, nuk përmendi faktin e rëndësishëm që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2010 vendosi që deklarata mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës nuk përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar.
Ai deklaroi se Gjermania mirëpret ripërtëritjen e dialogut dhe shtoi se marrëdhëniet e pazgjidhura midis Serbisë dhe Kosovës paraqesin një pengesë për zhvillimin e gjithë rajonit.