Adresa e koduar që e përdorte Albin Kurti 16 vjet më parë

Shqiptaro-amerikani Uk Lushi ka publikuar email-a të para 16 vjetëve që i ka shkëmbyer me Albin Kurtin. Bie në sy se Kurti i kthente letrat elektronike me një adresë të koduar.

“From safety to where”, që në shqip thotë “Nga siguria, ku” ishte email adresa e Kurtit, prej të cilës kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, i shkruante shqiptaro amerikanit, sipas publikimeve që i ka bërë Lushi.

Ato, sipas publicistit, ishin shkruar në vitin 2004, e Kurti ishte drejtues i KAN’it, pasi LVV’ja nuk ishte themeluar akoma.

Në këto emaile flitej për figura të ndryshme publike, kryesisht për drejturs të mediave atë kohë, e Kurti i quante Veton Surroin e Agim Zatriqin “tiranë arrogantë”.

“Mediat ne Kosove jane po ashtu pjese e establishmentit duke qene instrumente te tij. Nuk ka shanse qe neve te na krijohet mundesia per organizimin e debateve televizive ku sfidohet establishmenti, sepse televizionet jane vendet ku promovohet establishmenti. Te gjitha ato jane te qeverisura nga klika, nga oligarki, me nje tiran arrogant ne krye (Veton S., Agim Z., Blerim Sh., Aferdita S. etj.)”, kishte shkruar Kurti.

Ish-lideri i KAN’it i ishte përgjigjur kësisoj kërkesës së publicistit që thoshte se duhet të organizohen debate publike, që faktorët politikë vendorë të vendosen nën lupën e premtimeve që kishin bërë gjatë fushatës zgjedhore. /Express/