Aborti i 13-vjeçares, arrestohet një gjinekolog në Gjilan

Një gjinekolog është arrestuar sot me urdhër të prokurorit të Gjilanit, Arben Ismajli, nën dyshimin për ndërprerje të palejueshme të shtatzënisë.

I njëjti është ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit.

Lajmin për arrestimin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe prokurori i rastit, Arben Ismajli.

Rasti ka të bëjë me një 13-vjeçare e cila ka kryer abortin pasi dyshohet se ishte dhunuar më parë nga dy persona.

Në këtë rast gjinekologu është i dyshuari i katërt që është arrestuar.

Dy të dyshuarit, një 21-vjeçar dhe një 38-vjeçar, janë arrestuar nën dyshimin se kishin dhunuar 13-vjeçaren. Ata gjenden në masën e paraburgimit, ndërsa një mjek gjinekolog nga Gjilani është intervistuar dhe liruar në procedurë të rregullt për shkak se i njëjti po dyshohet se nuk e kishte lajmëruar një rast kur 13-vjeçarja kishte shkuar për të bërë kontroll në ordinancën e tij private.

Arrestimi i sotëm erdhi pas disa ditë hetimesh intensive nga prokurori Ismajli në lidhje me identifikimin dhe lokalizimin e ordinancës private.

Muajin e kaluar KALLXO.com ka raportuar se Gjykata në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë të pandehurit Sh. J.

Personi Sh.J. dyshohet se ka shfrytëzuar një vajzë të mitur duke e dërguar në motele të ndryshme, duke e detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale, ashtu që e mitura ka mbetur shtatzënë.

Më pas, sipas Prokurorisë, i dyshuari Sh.J. e kishte dërguar të miturën në një ordinancë private për të kryer abortin.

I dyshuari i dytë ishte arrestuar pak ditë pas atij të parit, nën dyshimin se i njëjti kishte kryer veprën penale të dhunimit të 13-vjeçares.

Edhe i dyshuari i dytë gjendet në masën e paraburgimit.

KALLXO.com mëson se në dëshminë e 13-vjeçares thuhet se i dyshuari i parë Sh.J. me një person tjetër e kishin dërguar të miturën 13-vjeçare në ordinancën private për të kryer abortin.